
Haxhiu për mosdekretimin e kryeprokurorit nga presidentja: E mbështes dhe e mirëpres
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për medie, ka folur të mërkurën për mosdekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e kryeprokurorit të shtetit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ajo ka thënë se e mbështet dhe e mirëpret mosdekretimin e Isufajt.
“Mbështes dhe mirëpres letrën e presidentes Osmani për mosdekretimin e z. Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Arsyet për këtë i ka përmendur edhe në letër presidentja Osmani. Kryeprokurori i shtetit ka mandat shtatë vjet dhe sigurisht se ky proces duhet të jetë transparent, meritor dhe jo të ndikojnë grupet e interesit apo individë përbrenda sistemit, në mënyrë që të sjellin një rezultat që dihet para se të ndodhë ai. Prandaj, ne mbështesim, unë mbështes presidenten Osmani në letrën që e ka adresuar”, ka thënë Haxhiu, duke shtuar se nuk ka bazë ligjore që të dërgohet përsëri emir i Isufajt.
“Propozimi i njëjtë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka bazë kushtetuese e as ligjore. Këshilli Prokurorial nuk e di se ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë te presidentja Osmani, sepse ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, ka thënë Haxhiu.