Haxhiu për përmbaruesit privat: Qytetarët që konsiderojnë se ka padrejtësi, të parashtrojnë ankesë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se miratimi i standardeve profesionale për përmbaruesit privat shënon një hap të rëndësishëm.
Haxhiu është shprehur se ministria që drejton do të angazhohet për të siguruar që qytetarët dhe bizneset në Kosovë të kenë qasje në shërbime përmbarimore të cilësisë më të lartë.
“Miratimi i standardeve profesionale për përmbaruesit privat shënon një hap të rëndësishëm. Ky është profesioni i parë i lirë ligjor që përfiton nga standarde moderne të zhvilluara me kujdes, të cilat synojnë të vendosin një precedent pozitiv për të gjitha profesionet e tjera ligjore në vendin tonë. Ministria e Drejtësisë, në përputhje me prioritetet e saj strategjike, angazhohet për të siguruar që qytetarët dhe bizneset në Kosovë të kenë qasje në shërbime përmbarimore të cilësisë më të lartë. Zhvillimi dhe zbatimi i këtyre standardeve profesionale jo vetëm që avancojnë cilësinë e shërbimeve të ofruara, por gjithashtu fuqizojnë mbrojtjen e interesit publik, sigurojnë transparencë në veprimet përmbarimore dhe garantojnë një nivel të lartë profesionalizmi në këtë fushë”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Më tutje, ministrja Haxhiu ka ftuar qytetarët që konsiderojnë se ndaj tyre janë bërë padrejtësi, të ushtrojnë ankesë.
“Këto standarde janë rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes Ministrisë së Drejtësisë, Odës së Përmbaruesve Privat, dhe Programit për Drejtësi Komerciale të USAID-it, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të sistemit tonë të drejtësisë. Të gjithë qytetarët të cilët konsiderojnë që ndaj tyre janë zhvilluar procese të padrejta, i ftoj që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të paraqesin ankesa pranë Ministrisë së Drejtësisë. Angazhimi i tyre vetëm sa do të kontribuoj në përmirësimin e mëtejshëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë, dhe funksionimit të këtij sistemi me nivelin më të lartë të përgjegjësisë”, ka shkruar Haxhiu.