Haxhiu pret në takim shefin e BE-së në Kosovë, diskutojnë për sundimin e ligjit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim shefin e zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë, si dhe bashkëpunimin e nevojshëm për çështjet e reformës në drejtësi.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka përgëzuar Ministrinë e Drejtësisë për miratimin e strategjisë për sundimin e ligjit, duke e konsideruar këtë si një gjë mjaft pozitive për sundimin e ligjit në Kosovë.
Ndërsa ministrja Haxhiu ka shprehur përkushtimin e saj për zbatimin e strategjisë në fjalë, me ç’rast e ka njoftuar mysafirin për hapat konkret të ndërmarra deri tani për zbatimin e strategjisë për sundimin e ligjit.
Në takim janë diskutuar edhe çështje të rëndësishme sa i përket reformës në drejtësi, përfshirë procesin e vettingut, projektligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, draft-kodin civil si dhe Marrëveshjen e Brukselit për drejtësi.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë këtij takimi ka shprehur zotimin e saj në fushën e sundimit të ligjit, kurse ambasadori Szunyog ka theksuar gatishmërinë për t’i dhënë mbështetje përmes ekspertizës profesionale, reformës përmbajtjesore në drejtësi.