Haxhiu: Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas kritikave të opozitës rreth deklaratës së saj dje në gjykatë, ku në cilësinë e të akuzuarës i ka kërkuar prokurorit të dorëzohet në lidhje me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në kuvend para 7 vjetësh.
Ajo ka shkruar në “Facebook” se Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite.
“Pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se veprimet politike për të cilat janë gjykuar kanë qenë përherë publike.
“Sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se thirrja e saj e vazhdueshme është që prokurorët të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekjet politike, sikurse po bëhet tash e 7 vite.
Postimi i plotë i saj:
Prokuroria dhe gjyqësori do të çlirohen nga ata që i kanë kapur ndër vite, pikërisht këta që sot bëjnë zhurmë pa përmbajtje, e mbajnë konferenca pa asnjë kuptim. Të njëjtit përmes njerëzve në sistem, jo rrallë herë kanë montuar procese politike të gjykimit ndaj Lëvizjes dhe aktivistëve të saj.
Veprimet politike për të cilat jemi gjykuar kanë qenë përherë publike, sikurse deklarata ime në cilësinë e të pandehurës në linjë me të drejtat e mia që njihen me legjislacionin në fuqi.
Thirrja ime e vazhdueshme është që prokurorët të ushtrojnë detyrën me profesionalizëm dhe të heqin dorë nga përndjekjet politike, sikurse po bëhet tash e 7 vite.
Kritika ime është e zëshme dhe e hapur. Jam përjetsisht e hapur për të dëgjuar kritikat e opozitës apo kujtdo tjetër, por në mungesë të tyre, opozita kujdestaron ndaj çdo fjale timen, vetëm sa për të krijuar një situatë, për të shprehur mllef dhe kushedi mbase kanë të drejtë sepse:
Metodat njëzet vjeçare të opozitës për kërcënime dhe pazare nën tavolinë nuk gjenden në Qeverisjen Kurti. Prandaj ka zëra të tillë që sulmojnë sepse brenda dy viteve të mandatit qeverisës kemi ndërmarrë nisma reformuese me qëllim të fuqizimit dhe kthimit të besimit qytetarë në institucione.
Me këto iniciativa përfundimisht shteti i Kosovës do të kalojë në një nivel tjetër më të lartë sa i përket drejtësisë.
• Vetingu në sistemin e drejtësisë
Brenda 1 viti e gjysmë është hartuar koncept dokumenti, amendamentet kushtetuese dhe kemi pranuar Opinionin pozitiv nga Venecia.
• Reforma në Këshillin Prokurorial
Brenda 1 viti është hartuar projektligji, janë pranuar e opinione të Venecias dhe sikur opozita të mos e dërgonte në Gjykatë Kushtetuese, sot do ta kishim Këshillin Prokurorial të reformuar.
• Byroja për verifikim dhe konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme
Brenda 2 viteve, është miratuar koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, është hartuar ligji, kemi pranuar 2 opinione nga Venecia dhe Ligji tashmë është miratuar.
• Adresimi i dhunës në familje
Brenda 1 viti e gjysmë, është hartuar strategjia nacionale kundër dhunës në familje, janë bërë ndryshimet ligjore me qëllim të ofrimit të ndihmës juridike për viktimat, janë eliminuar pengesat për kompensimin e viktimave të krimit, strehimoret janë mbështetur me më shumë buxhet, kemi bërë ndryshimet në kode për dënimet plotësuese, kemi bërë fushata sensibilizuese për ngritjen e vetëdijes dhe raportim të dhunës dhe po ashtu kemi nisur reformat në qendrat për punë sociale.
• Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftëa
Brenda 1 viti është hartuar projektligji për themelimin e Institutit për dokumentimin e krimeve të luftës, është adresuar gjykimi në mungesë për kriminelët e luftës, janë mbështetur financiarisht institucionet për adresim të këtyre krimeve dhe po punohet në strategji për drejtësi tranzicionale.
Me dy projekte të mëdha, njëri për kthimin e legjitimitetit dhe integritetit në gjyqësor, dhe tjetrin me verifikimin e pasurisë në mënyrë jo të pastër Kosova përfundimisht do të shndërrohet në vend model në Ballkan, ndërkohë që po i afrohet vlerave dhe orientimeve perëndimore.
Kosova do të bëhet vend ku nuk blihet gjyqtari a prokurori, e nuk caktohet nga politika e nuk përndjek me urdhëra të saj. Ndërkohë që askush nuk mund të pasurohet në emër të politikës apo nga ushtrimi i detyrës zyrtare. Krimi, korrupsioni, mitoja, haraçi nuk do të jenë më fjalët kyçe në Kosovë e as të ndonjë raporti të huaj ndërkombëtar siç ishin për 20 vite.
Kosova do të bëhet vend i jetueshëm, për të gjithë, jo për të fortët.
Kujdestaria juaj nuk e zbehë punën tonë, e ne gjithësesi do të jemi edhe më të kujdesshëm.