Haxhiu: Prokuroria Speciale të sqarojë se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin Dehari

20 gusht 2020 | 14:04

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka shprehur shqetësimin e saj dhe të subjektit që përfaqëson, rreth neglizhencës së zbardhjes së vdekjes së aktivistit të tyre, Astrit Dehari.

“Po bëhen katër vjet dhe ende nuk ka drejtësi për Astritin, aktivistin politik i cili u burgos sikurse edhe aktivistë të tjerë me urdhëra të pushtetit të asaj kohe”.

“Gjatë këtyre ditëve, qytetarët sikurse edhe familja Dehari, por edhe ne si Lëvizje, ishim të shqetësuar që dëshmitarët kryesorë, pavarësisht veprave të rënda për të cilat ishin dënuar ose janë liruar, ose janë falur ose s’janë më gjallë”, ka thënë ajo në një konferencë për medie.

Haxhiu ka thënë se prapa këtyre ngjarjeve ka skenare.

“Dhe ne jemi të bindur që pas këtyre fshihen skenare të errëta”.

“Adonis Gashi është në arrati i cili në muajin shkurt të këtij viti nga arratia kishte thënë: Nuk do të deklarohem për rastin Dehari, derisa nuk rishikohet dosja ime. Unë jam i pafajshëm dhe dua që kjo gjë të dëshmohet. Pas kësaj mund edhe të dëshmoj”.

“Adonis Gashi vazhdon të mbetet në arrati, dhe institucionet nuk kanë asnjë informacion se ku gjendet”.

“Naser Makolli na thanë se vdiq nga një sëmundje. Frok Laski në fund të 2019-ës, u lirua nga paneli për lirim me kusht”.

“Ndërsa rasti i fundit i paprecedentë ishte kur presidenti Thaçi në fund të muajit korrik, i fali tre vite e gjysmë Luz Allakaj një personi që ishte dënuar për  vrasje të dyfishtë, madje të një fëmiu 13 vjeç”, ka thënë Haxhiu.

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se ende nuk kanë pranuar asnjë sqarim lidhur me këkesën për qasje në dokumentacionin që çoi në zbutjen e dënimit të Luz Allakajt.

“Para disa ditëve me kërkesë të deputetëve të Grupit tonë Parlamentar, i kemi kërkuar presidentit qasje në dokumentacionin që ka çuar në zbutjen e dënimit të Luz Allakajt, dhe dosja e faljes ende nuk na është ofruar”.

“Ne nuk kemi asnjë informacion se edhe sa kohë i duhet prokurorisë për ta zbardhur të vërtetënpër Rastin Dehari dhe për t’i çuar para drejtësisë përgjegjësit”.

“Në kohën kur u bë publik raporti i Institutit Zviceran, ne kërkuam që rasti nga Prokuroria Themelore në Prizren të kalojë në kompetencë të Prokurorisë Speciale”.

“Meqë u bë kohë që nuk ka asnjë njoftim për këtë, ne kërkojmë sqarim nga Prokuroria Speciale. Deri kur kanë mbërritur hetimet për Rastin Dehari. Pse kjo lëndë nuk është prioritet për Prokurorinë? Pse Prokuroria Speciale nuk është aktive?”, ka thënë ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Bayern Muchen, Hansi Flick kërkon suksesin e trefishtë…