Haxhiu: Provimi i jurisprudencës ka qenë transparent, kryejeni punën me profesionalizëm e bazuar në Ligj

23 shtator 2024 | 14:53

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë të hënën certifikatat për kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin e jurisprudencës.

Me këtë rast, ajo është zotuar se ky proces ka qenë transparent dhe pa asnjë ndikim.

Haxhiu në fjalën e saj ka kërkuar nga te certifikuarit që ta bëjnë punën me profesionalizëm, bazuar në legjislacionin në fuqi.

“Ju uroj më të mirat dhe jam e bindur që kur do që do të orientoheni në sistemin e drejtësisë, si prokuror, gjyqtar, avokat, apo kudo tjetër do ta kryeni detyrën me përgjegjësi të lartë. Kjo është e rëndësishme edhe për juve edhe qytetarët e Kosovës. Pra çfarëdo pozicioni që të merrni në të ardhmen, të jeni të bindur që është më mirën edhe për Kosovën që ai do të jetë një veprim i ligjshëm, pra veprimet dhe vendimet që i merrni  të jenë të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe po ashtu të pa ndikuara”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, u ka bërë thirrje të pranishmëve që në asnjë formë, fati i njerëzve të mos ndryshojë për fajin e tyre.

“Kjo do te thotë shumë që i hapen dyert e secilit jurist për të ushtruar profesionin. Por, këtë hapje të dyerve mos e merrni si privilegj por merreni edhe si përgjegjësi sepse pavarësisht se cilin profesion do ta ushtroni, keni gjithmonë përgjegjësin që e keni fatin e njerëzve në dorë. Kujdesuni që asnjë herë fati i njerëzve të mos ndryshoj për fajin e juaj”, ka thënë Rexhepi. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Demush Krasniqi se…