Haxhiu: Qeveria Kurti ka dështuar plotësisht në sektorin e shëndetësisë
Në përgjigje të deklaratës së kryeministrit të vendit në lidhje me Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, deputeti Bekim Haxhiu nga radhët e PDK-së ka thënë për Front Online se Qeveria Kurti ka dështuar plotësisht në sektorin e shëndetësisë në vend.
Haxhiu ka theksuar se kryeministri Kurti ka pranuar publikisht se ka dështuar në implementimin e Ligjit për Sigurimeve Shëndetësore dhe se ka mashtruar në premtimet për implementimin e këtij ligji gjatë mandatit të tij.
Ai ka vënë në dukje se gjatë katër viteve të qeverisjes, Ligji për Sigurimet Shëndetësore nuk është plotësuar as ndryshuar, ndërkohë që Ligji për Shëndetësi dhe Strategjia e Shëndetësisë gjithashtu kanë mbetur në pritje.
Po ashtu, deputeti Haxhiu ka akuzuar qeverinë për menaxhim të dobët dhe keqpërdorim të buxhetit, duke nënvizuar se ky keq menaxhim ka rezultuar në lista të gjata të pritjes për pacientët dhe ikjen e personelit shëndetësor.
“Albin Kurti sot publikisht e paska pranuar se ka dështuar në sektorin e shëndetësisë. Ai e paska pranuar se ka mashtruar kur ka premtuar se në mandatin e tij do të implementohen Sigurimet Shëndetësore. Për 4 vite Kurti dhe Qeveria e tij nuk kanë arritur ta sjellin në Kuvend, Ligjin për Sigurimet Shëndetësore, për plotësim dhe ndryshim të disa neneve të tij, ngase nga viti 2014 Ligji për sigurimet shëndetësore është në fuqi. Për 4 vite nuk kanë qenë në gjendje ta miratojnë një Strategji të Shëndetësisë. Si pasojë e këtij keq menaxhimi dhe keqpërdorimeve kemi lista të gjata të pritjes për pacientët, ikje të personelit shëndetësor”, tha Haxhiu.
Ai ka kritikuar gjithashtu edhe për shpenzimet e larta për renovime në sektorin e shëndetësisë, duke i cilësuar ato si abuzime dhe duke kërkuar më shumë investime në kapacitetet për trajtim të pacientëve dhe për sigurimet shëndetësore, në vend të shpenzimeve astronomike për fasada dhe renovime.
“Është kriminale të shpenzohen miliona euro ne fasada e renovime me çmime astronomike e të mos shtohen kapacitetet për trajtim të pacientëve e te mbesim pa sigurime shëndetësore”, deklaroi Haxhiu.