Haxhiu raporton para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane për reformat në drejtësi

31 maj 2023 | 15:49

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka raportuar të mërkurën para anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me reformat në fushën e drejtësisë dhe përmbushjen e veprimeve të ministrisë sipas Agjendës për Reformë Evropiane dhe Programit për Zbatimin e MSA-së.

Ministrja Haxhiut ka shprehur keqardhjen për mungesën e opozitës në Komision derisa po raportonte për çështjet siç tha të rëndësishme që kanë të bëjnë me Reformën Evropiane.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se për vitet 2021, 2022 dhe 2023, Ministria e Drejtësisë ka pasur gjithsej 35 masa dhe obligime sipas Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, që disa prej tyre janë edhe pjesë e ERA 2 – Agjendës për Reformë Evropiane.

“Nga obligimet e tilla, më lejoni të ju informoj se 26 masa janë zbatuar tërësisht, prej të cilave, 4 masat e parapara për vitin 2023 janë duke u zbatuar sipas afatit”, ka thënë Haxhiu.

Në kuadër të reformave kyçe, ministrja Haxhiu ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka hartuar Strategjinë për Sundimin e Ligjit, e cila për vitin 2022 arrin zbatimin në 88 për qind si dhe janë paraparë ndryshimet kushtetuese për vetingun, ndryshime këto që do të përmirësojnë qasjen në drejtësi.

Po ashtu, ministrja Haxhiu si pjesë të reformës në drejtësi, përmendi edhe nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët të Zotimit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe akterëve kyç të sistemit të drejtësisë, Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si dhe tri Ligje të tjera që kanë të bëjnë me sistemin prokurorial.

Tutje para anëtarëve të Komisionit, ministrja Haxhiu foli edhe për hartimin e legjislacionit që ka sjell reforma në fushën penale dhe civile, në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, në adresimin e krimeve të luftës, në fushën e drejtësisë administrative dhe të punës si dhe në luftën kundër dhunës në familje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Adem Grabovci Në 24-vjetorin e rënies heroike T’i kujtosh…