Haxhiu reagon ndaj deklaratës së Mustafës: Vijat e kuqe gjithnjë janë hequr në emër të ‘interesave madhore’
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, i cili ka thënë se ky subjekt politik vijat e kuqe i ka larguar me të gjitha partitë.
Ajo përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se vullneti i shprehur më 6 tetor të vitit të kaluar ishte vijë e qartë e kuqe me politikën e vjetër.
“Nga poli i PDK-së, LDK tha se po afrohej me VV-në. Dhe kështu mori votat e qytetarëve. Kjo vijë e kuqe e LDK-së u hoq në muajin mars kur rrëzuan qeverinë Kurti dhe tradhtuan votën qytetare. Ajo që tha sot Isa Mustafa është vetëm titulli i një vepre që kishte nisur më herët. Nëse qytetarët kanë vendosur saktësisht ndryshe nga ajo çka paska vendosur LDK, atëherë kjo e fundit përfundimisht i ka vënë vijë të kuqe vullnetit qytetarë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shkruar se: “Sigurisht, vijat e kuqe gjithnjë janë hequr në emër të ‘interesave madhore'”.
“Këto janë orvatjet për t’i ikur zgjedhjeve në mënyrë që kjo nomenklaturë të mbijetojë edhe ndonjë ditë”, ka shkruar Haxhiu.