Haxhiu reagon pas deklaratave për UÇK-në nga këshilltari i Albin Kurtit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratës së këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, se pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë vrarë civilë serbë.
“Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare. Kauza e popullit shqiptar për çlirim e pavarësi ka qenë e drejtë. Gjykata Speciale ka qenë gabim dhe e dëmshme, e cila ka vendosur paralele në mes të Kosovës dhe Serbisë për krimet e luftës. Ata që e kanë votuar këtë Gjykatë i kanë bërë dy goditje të mëdha shtetit të Kosovës, duke goditur luftën çlirimtare dhe duke goditur sistemin e brendshëm të drejtësisë në Kosovë”.
“Pushtetet e kaluara asnjëherë s’i kanë trajtuar seriozisht krimet e luftës, i kanë lënë pa kapacitete institucionet e drejtësisë por qeverisja jonë ka zotime të qarta në këtë drejtim”.
“Krimet e luftës nuk mund të vjetrohen dhe kriminelët do të dalin para drejtësisë!”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.