
Haxhiu reagon pasi s’i mori votat për deputet: Do të vazhdoj të jem aktiv dhe do të jap kontributin tim në PDK
Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka reaguar pasi nuk ka arritur t’i sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet. Ai ka thënë se ka marrë 18 mijë e 561 vota.
“Ju falënderoj 18,561 herë nga thellësia e zemrës për mbështetjen! Në këto zgjedhje, pothuajse kam dyfishuar numrin e votave. Ky është vlerësim i rëndësishëm për punën time gjatë pesë mandateve radhazi si deputet i Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, 18,561 vota nuk ishin të mjaftueshme për të fituar mandatin e radhës në Kuvend. Por kjo mund të ndryshojë varësisht mandatarit për formimin e qeverisë”.
“Pavarësisht kësaj, unë i falënderoj sinqerisht të gjithë ata që më mbështetën dhe më votuan në listën e PDK-së me numër 109 në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe në pesë palë zgjedhjet paraprake. Një falënderim i veçantë shkon për ekipin tim zgjedhor, të cilët ishin të angazhuar, të përgjegjshëm dhe shumë pozitiv gjatë gjithë fushatës”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Haxhiu i ka uruar deputetët e PDK-së që do të jenë në legjislaturën e nëntë.
“Urimet e mia shkojnë për deputetët që do të përfaqësojnë PDK-në në Kuvend, me shpresën që do të jenë të përgjegjshëm ndaj votuesve. Tani ata janë adresa e parë për brengat dhe shqetësimet e qytetarëve. Uroj që të kenë një përfaqësim dinjitoz dhe të jenë aktivë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve. Fushata ishte e gjatë dhe e ngarkuar, por ishte një kënaqësi të takoj kaq shumë njerëz të mrekullueshëm kudo në Kosovë. Gjatë gjithë jetës time kam qëndruar besnik ndaj vlerave humane dhe idealit të atdhedashurisë, të formuara nga familja ime brez pas brezi. Kurrë nuk jam lëkundur dhe as nuk do të lëkundem nga këto parime. Rreth 18,561 vota janë një vlerësim i punës dhe angazhimit tim”, ka shkruar Haxhiu.
Ai i ka falënderuar të gjithë qytetarët që e kanë votuar për pesë mandate.
“Faleminderit që më besuat për pesë mandate si përfaqësuesi i juaj në Kuvend, i vlerësuar edhe nga organizatat monitoruese te Kuvendit si deputeti më aktiv i PDK-së, dhe ajo që është me rëndësi raporti im me qytetarët, nuk kam as një thirrje të humbur nga qytetarët”, ka shkruar ai.
Haxhiu ka shtuar se do të jetë aktiv dhe do të japë kontributin në PDK.
“Megjithatë, nuk u vlerësova mjaftueshëm për mandatin e radhës. Unë do të vazhdoj të jem aktiv dhe do të jap kontributin tim në PDK dhe nuk do të ndalem së bashkëpunuari në rrafshin profesional me kolegët e mi për të realizuar synimet dhe obligimet që kemi karshi qytetarëve dhe liderëve tanë që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ju falënderoj nga zemra 18,561 herë!”, ka shkruar Haxhiu.