Haxhiu: Reformat që kemi nisur do të garantojnë sistem të pavarur të drejtësisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se për dallim nga raportet e viteve të tjera, në Raportin për vendin të publikuar dje, Kosova nuk kritikohet për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë.
“Kjo është shumë e rëndësishme për ne si qeveri dhe për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se raporti evidenton ngecje në sistemin e drejtësisë sidomos me funksionimin e ngadaltë dhe me mungesën e rezultateve te rastet e korrupsionit të lartë.
“Reformat që kemi nisur, do të garantojnë sistem të pavarur, efikas e funksional të drejtësisë. Ndryshimet ligjore që i kemi bërë dhe mekanizmat që do të themelohen do të garantojnë luftim të korrupsionit e krimit të organizuar”.
“Kosova po bëhet shtet i së drejtës dhe me institucione që do të gëzojnë besimin e qytetarëve!”, ka shkruar Haxhiu.