Haxhiu: Refuzoj të jetoj në një shoqëri ku gratë shihen si qytetare të dorës së dytë

15 mars 2024 | 11:51

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu gjyqësor për përgjigje gjyqësore efektive” ka thënë se janë në shqyrtim të themelimit të Qendrës së parë referuese për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale.

“Momentalisht jemi duke bërë një vlerësim për themelimin e Qendrës së parë referuese për trajtimin e rasteve të dhunimeve seksuale si dhe zhvillimin e procedurave standarde të veprimit”, ka thënë Haxhiu.

Departamenti për politika sociale ka kaluar në kuadër të MD-së tash e një vit, për shkak të mungesës së burimeve dhe protokolleve për të mbuluar të gjitha format e dhunës në Qendrat për Punë Sociale.

Haxhiu këtë ndryshim e ka cilësuar si reformë të thellë për trajtimin e këtyre rasteve.

“Në vitin 2020 Kosova përfshiu në Kushtetutën e saj Konventën e Stambollit. Që nga ajo kohë ka pasur përpjekje për adresimin e obligimeve që dalin nga e njëjta. Në tetor të vitit të kaluar, Kuvendi miratoi ligjin për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore. Ministria e Drejtësisë ka ofruar mbështetje për komisionin përkatës të Kuvendit dhe i njëjti ligj është në frymën e Konventës së Stambollit dhe ka zgjeruar fushëveprimin nga ligji i kaluar edhe nga dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore”, ka thënë ministrja Haxhiu.

“Si qytetare e këtij vendi, si grua, si nënë por edhe si ministre refuzoj të jetoj në një shoqëri ku vajzat dhe gratë shihen si qytetare të dorës së dytë, prandaj edhe po angazhohem për ditë që ta thyej këtë mentalitet patriarkal”, ka thënë ajo.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës U19 nga 18 marsi deri më 26…