Haxhiu rikthen temën e tërheqjes së Trustit në Kuvend, ka një kërkesë për deputetët

28 prill 2022 | 12:04

Tërheqja e 30 për qind të Trustit ishte sërish temë sot në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se tërheqja e mjeteve të Trustit ka qenë kërkesë e qytetarëve.

Sipas tij, PDK-ja këtë kërkesë vetëm e ka përcjellë në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

“Ka qenë kërkesë e qytetarëve që të mundësohet tërheqja e mjeteve te Trustit. Ne si parti politike me datë 9 mars e kemi proceduar në Kuvend dhe pastaj më 21 mars është përcjellë për vendim në qeveri. Për fat të keq qeveria e ka neglizhuar këtë kërkesë të qytetarëve, por i ka hapur rrugë Kuvendit të Kosovës për të vendosur për këtë ligj”, ka thënë ai.

Më tutje, Haxhiu ka kërkuar nga komisionet parlamentare dhe Kryesia e Kuvendit që ta trajtojnë me urgjencë këtë kërkesë.

“Nga dje ky ligj është në duart e deputetëve. Sot kam një apel për komisionet parlamentare të përhershme dhe Kryesisë së Kuvendit që këtë projektligj ta trajtojë me urgjencë për shkak të krizës ekonomike dhe që në seancën e radhës të Kuvendit të kemi mundësinë që ta realizojmë këtë kërkesë të qytetarëve me qëllim që atyre t’u mundësojmë që me mjetet e tyre të menaxhojnë krizën ekonomike”, është shprehur Haxhiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Te Manchester United nuk besojnë më tek objektivi i Ligës…