Haxhiu: Rreth 2 mijë punëtorë të sistemit të drejtësisë janë në grevë
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se rreth dy mijë punëtorë që punojnë në sistemin e drejtësisë janë në grevë për shkak të pagave të vogla.
Ajo ka thënë se kërkesa e tyre për rritje të pagave është e drejtë dhe legjitime.
“Rreth 2 mijë punëtorë (shërbyes civilë) që punojnë në sistemin e drejtësisë janë në grevë për shkak të pagave të vogla. Kërkesa e tyre është ngritja e pagave dhe rregullimi i statusit të tyre. Vendimet e paligjshme të Qeverisë Haradinaj për ngritjen e pagave për vete në 100 për qind, kanë ngjallur shumë reagime dhe pakënaqësi tek punëtorët dhe jo vetëm tek administrata gjyqësore”.
Kjo kërkesë e punëtorëve është e drejtë dhe shumë legjitime. Është e papranueshme që shërbyesit civilë në sistemin e drejtësisë (të cilat janë të mbingarkuar me punë) të marrin 300 deri në 350 pagë, ashtu siç është e papranueshme që kirurgu të paguhet vetëm 600 euro, infermieri vetëm 340, mësuesi vetëm 450 euro, apo zjarrfikësi 350 euro, ashtu siç është e papranueshme që shteti të mos ofrojë mirëqenie për kategoritë sociale”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/