Haxhiu takohet me kryeprokurorin e Prizrenit, diskutojnë për rastet e dhunës në familje
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka takuar të enjten kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, me të cilin kanë diskutuar për çështjet e lidhura me fushën e drejtësisë.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi mbi fuqizimin e bashkëpunimit në aspektin e drejtësisë, në drejtim të luftimit të kriminalitetit.
Kryeprokurori Shala, e ka njoftuar ministren Haxhiu, për punët, sfidat dhe synimet e prokurorisë që ai e drejton.
Gjatë këtij takimi, Shala ka prezantuar të arriturat e Prokurorisë së Prizrenit. Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për ndarjen e parcelës për ndërtimin e objektit të ri të prokurorisë.
Në këtë takim, në veçanti është diskutuar për rastet e dhunës në familje si një ndër rastet më të ndijshme për trajtim, si dhe për Ligjin e ri për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje.
Në fund të takimit, palët janë dakorduar për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në kuptim të adresimit dhe jetësimit të reformave në drejtësi.