Haxhiu: Thaçi i rriti pagat që premtoi në fushatë, Kurti s’po merr vendim
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për Projektligjin për Pagat.
Haxhiu, në “Edicionin Special”, deklaroi se ish-kryeministri Hashim Thaçi është i fundit që ka rritur pagat në sektorin publik dhe mbajti premtimin e dhënë në fushatë, ndërsa kryeministri aktual, Albin Kurti, s’po merr vendim, njofton Klankosova.tv.
“Hashim Thaçi, sa ka qenë në qeveri, ka zbatuar rritjen e pagave që e ka premtuar në fushatë, ndërsa Kurti sot ende premton e nuk merr vendim për rritje për paga. Është koha që si opozitar që ua ka premtuar dhe si kandidat për kryeministër të marrë vendim e jo sot të premtojë rritje pagash për sektorin publik”.
Mes tjerash, Haxhiu bën të ditur se si PDK kanë ofruar ekspertët e tyre që ta ndihmojnë qeverinë për këtë projektligj.
“Ne po kërkojmë që të ketë një vullnet politik dhe si subjekt opozitar, jemi të gatshëm të japim mbështetje që Ligji për Pagat të kalojë. Bazuar në situatën aktuale, ku profesionistët shëndetësorë janë të gatshëm ta lënë vendin, është e udhës që të ketë rritje pagash për sektorin shëndetësor dhe atë të arsimit por edhe për sektorë të tjerë”.
“Ne si PDK ofrojmë ekspertët tanë që të ndihmojnë qeverinë për Ligjin për Pagat dhe të gjitha ekspertizat që u duhen”.
“Kryeministri nuk na tregoi se çfarë po punohet në ligjin e ri për pagat, kjo qeveri nuk është e aftë që t’u ofrojë punëtorëve të sektorit publik një draft të planit që po punohet. E kemi kërkuar vazhdimisht një draft të projektligjit të ri dhe derisa s’ka as planifikim të atij ligji në buxhetet e viteve në vijim, tregon që qeveria nuk është e interesuar të zgjidhë këtë problem”.
“Qeveria duhet të fillojë draftimin me ekspertët e qeverisë dhe të bëjë diskutime publike me sindikatat dhe të gjitha institucionet që preken nga ky projektligj dhe sa më shpejt të sillet në Kuvend për miratim. Por, duke parë mungesën e vullnetit politik të kësaj qeverie, besoj që deri në fund të vitit ta kryejnë këtë draft,” tha Haxhiu.