Haxhiu thërret konferencë për media pasi Ligji i hartuar nga ajo shpallet anti-kushtetues
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thirrur konferencë për media të shtunën në orën 12:00, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur anti-kushtetues ligjin e hartuar nga qeveria për Këshillin Prokurorial.
“Lidhur me njoftimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nesër në ora 12:00, do të mbajë konferencë për media”, thuhet në njoftimin e MD-së.
Ligjin për vlerësim nga kushtetuesja e patën dërguar në korrik të vitit të kaluar partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme”, thotë vendimi, derisa më pas elaboron shkeljet.
Vendimi i Kushtetueses tregon se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.
Ndryshimi i Ligjit për KPK-në, parashihej që të ndërronte mënyrën e funksionimit të Këshillit Prokurorial, por gjithashtu edhe përbërjen e këtij këshilli.