
Haxhiu thotë se kanë dërguar qindra dosje për korrupsion: Prokuroria asnjë veprim
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka reaguar Prokurorisë Speciale pas bastisjeve që u kryen dje në Ministrinë e Bujqësisë nën dyshimet për keqpërdorime të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe për mashtrim në prokurim publik.
“Qindra dosje me dyshime për korrupsion e keqpërdorime të detyrës zyrtare janë dërguar në prokurori nga Qeveria jonë. Prokuroria asnjë veprim. Asnjë bastisje nëpër institucione pas atyre denoncimeve që i kemi bërë. Heshtje totale. Por mjafton një lajm diku në portale, e menjëherë vrapohet me bastisje në Ministri. Portale e gazeta ka pasur tash e sa kohë, por çështja është a kishte ato kohë Prokurori?!. Përgjigjen e dimë të gjithë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
Haxhiu ka thënë se keqpërdorimet, abuzimet, e shkatërrimet e ndërmarrjeve publike sikurse edhe pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve të lartë ka ndodhur para syve të Prokurorisë.
“Drejtësia s’duhet të jetë selektive. Aq më pak spektakël”, ka shkruar Haxhiu.