Haxhiu thotë se KQZ-ja po aplikon kritere jokushtetuese ndaj mërgatës
11 janar 2021
| 20:33
Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke e vështirësuar regjistrimin e mërgatës për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në vend se të inkurajojnë mërgatën për regjistrim për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke ua lehtësuar procedurat, ata bëjnë të kundërtën! Ua shtojnë kriteret jokushtetuese dhe të paligjshme! E drejta e votës është e pacenueshme ajo nuk mund të pamundësohet vetëm sepse dikush “nuk e ka hapur telefonin”! Ky vendim është sa absurd aq edhe i paligjshëm dhe jokushtetues prandaj duhet të ndryshohet e kundërshtohet!”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e vet në “Facebook”.