Haxhiu thotë se nuk i ka emrat e kryerësve të veprës në rastin Dehari: Po t’i kisha s’do ta prisja ftesën e prokurorit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka dëshmuar para Prokurorisë Speciale në lidhje me rastin e ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.
Ajo pas dhënies së kësaj dëshmie ka mbajtur një konferencë për medie, duke thënë se po ta kishte emrin e kryerësve të veprës penale, s’do ta priste ftesën e prokurorit.
Më tutje, ajo ka thënë se prokurori është ai që duhet të bëjë hetime.
“Po ta kisha emrin e kryesit apo kryerësve të veprës penale, unë nuk do ta prisja ftesën e prokurorit për ta thënë emrin e personit që dyshohet, e kjo është puna e tij. Për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, për këtë ai është prokuror, që të bëjë hetime. Punën e tij unë nuk mund ta bëjë”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka theksuar se për rastin Dehari duhen hetime të mirëfillta, duke thënë se prokurori Afrim Shefkiu është duke e trajtuar me arrogancë këtë rast.
“Nuk është bërë asgjë në zbardhje të vërtetës. Prokurori Shefkiu përveç që se ka trajtuar, e ka trajtuar me arrogancë dhe nuk iu përgjigj avokatit të familjes për hetimet e mëtutjeshme”, është shprehur Haxhiu. /EO