Haxhiu thotë se shkarkimi i tij nga PDK-ja në Skenderaj është jolegjitim
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, që u shkarkua nga pozita e nënkryetarit të degës së partisë në Skenderaj, thotë se një vendim i tillë ishte jolegjitim.
Në Interaktiv të KTV-së, Haxhiu ka thënë se ky vendim është jovalid sepse ka pasur shkelje në dy aspekte.
“Edhe për nga forma e thirrjes pa rend të ditës dhe pa ftuar të gjithë anëtarët e kryesisë dhe për nga aspekti statusor, pasi mandati i kryesisë së degës është vetëm organizimi i zgjedhjeve”, ka thënë ai.
Haxhiu ka thënë se kryetari i degës në Skenderaj, Sami Lushtaku po dëshiron që pozitën e tij ta marrë djali i vet, Mërgim Lushtaku.
“Ka tentativa për të përgatitur situata për të dominuar dikush në prag të zgjedhjeve të brendshme. Po bëhet një përgatitje që në krye të degës të vijë djali i Sami Lushtakut, Mërgimi që sapo është zgjedhur deputet. Kjo mund të bëhet me konkurrencë me garë demokratike e fer, e me frymë të bashkëpunimit. Nëse i bind anëtarësinë pse të mos fitojë. Por jo të neglizhojë anëtarët e kryesisë”, ka thënë më tej Haxhiu.