Haxhiu, Vitisë: Me këtë ritëm do ta përfundoni mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të barnave
Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale ka qenë temë diskutimi në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku ka raportuar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Në këtë takim, ministri Vitia është kritikuar nga partitë opozitare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i ka thënë ministrit Vitia se me ecurinë aktuale të punës do ta përfundojë mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale.
Ai ka thënë se kjo listë ka pasur produkte me çmime shumëfish më të larta.
“Në disa prej analizave që i kemi bërë të asaj liste, del që ka rritje shumëfish të çmimeve nga 100 për qind. I kemi pas këtu anëtarët e komisionit ku kanë thënë që ka pasur gabime teknike. Ka pasur rritje deri në 3 000 për qind. Të proklamosh ulje të çmimit e të nënshkruash listë me çmime me të larta – kjo nuk ka logjikë. Me ketë ecuri të punës do ta përfundoni mandatin e nuk do të ketë listë të çmimeve”, ka thënë ai.
Më tutje, Haxhiu ka shtruar pyetjen se sa është dëmi nga reshjet në depon qendrore e barnave, raporton “EO”.
Por, ministri Vitia ka mohuar akuzat e deputetit Haxhiu. Vitia ka thënë se ky ligj ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, i cili përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës.
Sipas tij ky ligj përkufizon sigurimin e kostos së përballueshme të produkteve dhe efikase për qytetarët.
“Në gusht të vitit 2023 ka hyrë ligji në fuqi për çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën e Kosovës. Ky ligi përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës. Ky ligj është pjesërisht në përputhje me Direktivën 89/105 EEC për transparencën e masave për rregullimin e çmimeve për produkte medicinale për përdorim të njerëzit, si dhe përfshirjen e tyre në fushëveprimin e sistemit shtetëror të sigurimit shëndetësor. Ky ligj përkufizon sigurimin e kosto të përballueshme të produkteve medicione të nevojshme dhe efikase për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Vitia.