Haxhiu viziton Prokurorinë Themelore në Pejë, thotë se rezultatet nuk mungojnë
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka vizituar Prokurorinë Themelore në Pejë, ku është pritur nga kryeprokurori Agim Kurmehaj dhe zëvendëskryeprokurori Ersan Çavolli.
Haxhiu ka njoftuar për angazhimin e tyre për rastet e dhunës në familje, ku sipas saj në komunën e Pejës nga janari deri sot janë raportuar 258 raste të dhunës.
Po ashtu, ajo ka njoftuar ata për politikat në fuqizimin e ligjeve dhe mekanizmave që merren me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin
“Vizitë në Prokurorinë Themelore në Pejë. Sot, vizitova PTh-në në Pejë, me ç’rast u prita nga kryeprokurori Agim Kurmehaj dhe zëvendëskryeprokurori Ersan Çavolli. I njoftova për prioritetet tona që ndërlidhen me reformën, punën që po bëjmë me fokus në adresimin e dhunës në familje ku vetëm nga janari e deri më sot në Komunën e Pejës janë raportuar 258 raste të dhunës në familje si dhe i njoftova për politikat në fuqizimin e ligjeve dhe mekanizmave që merren me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin. U njoftova për angazhimin e tyre sidomos për këto raste dhe po ashtu për numrin e vogël të prokurorëve 11 nga 19 prokurorë sa ishin, por që pavarësisht kësaj rezultatet nuk kanë munguar. Pas takimit, vizituam hapësirat e kësaj prokurorie ku takuam prokurorë, bashkëpunëtorë profesionalë, zyrtarë ligjorë, ndërmjetësues dhe staf tjetër administrativ. Në fund i falënderova për punën dhe angazhimin dhe i ofrova mbështetjen time për tejkalimin e sfidave”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.