Hazard i jep fund karrierës si futbollist
Sulmuesi belg Eden Hazard do të zyrtarizojë së shpejti tërheqjen e tij nga futbolli në moshën 32-vjeçare. Ky është lajmi surprizë që ka publikuar e përditshmja britanike, që shpjegon edhe arsyet e tërheqjes së fantazistit belg nga futbolli.
Mësohet se menaxherët e tij janë duke u përpjekur që t’i ndryshojnë mendjen Hazardit, që u shkëput nga Real Madrid këtë verë. Me skuadrën “merengues” ai luajti vetëm 76 ndeshje e 7 gola (6 ndeshje sezonin e kaluar), duke mos arritur dot në nivelet e dikurshme, kur luante me Chelsean në Angli.
Edhe pse pa kontratë, sulmuesi nuk ka gjetur ende një ekip të ri për të luajtur, ndaj dhe ka vendosur të tërhiqet. Ofertat në adresë të Hazardit nuk kanë munguar, nga MLS (Vancouver Whitecaps), Franca (Lille) dhe Arabia Saudite (4 klube), por sulmuesi belg i ka refuzuar të gjitha propozimet që kanë mbërritur. Dhe krejt papritur pritet të vijë lajmi i bujshëm i tërheqjes së tij nga futbolli edhe pse në një moshë ende të re.
Në dhjetor të vitit të kaluar, ai bëri publik lajmin e largimit nga ekipi kombëtar, që së shpejti mund të pasohet nga ai i largimit edhe nga futbolli i luajtur.