Hazard: Nuk më mungon aspak futbolli

31 tetor 2023 | 11:44

I tërhequr nga futbolli pak kohë më parë, sulmuesi belg Eden Hazard ka folur për periudhën që po kalon jashtë fushës. Ai ka qenë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të “Topit të Artë” dhe për TNT Sport ka rrëfyer jetën e tij pa futboll.

“Jeta tani është e përkryer. Më pëlqen, pasi po qëndroj me familjen time, me fëmijët e mi. Mund të bëj atë që dua, është një jetë e përkryer. Vendimi për t’u larguar nga futbolli nuk ishte aspak i lehtë”, ka thënë Hazard.

“Nuk mund të shpjegoj gjithçka që më shty të marr këtë vendim, por jam në paqe me veten time. Dhe, mbi të gjitha, jam i lumtur. Ka kaq shumë gjëra të tjera jashtë botës së futbollit, ndaj vendosa me qetësi për të ardhmen”, ka shtuar 32-vjeçari.

Duke folur për lidhjen e tij me futbollin, Hazard ka deklaruar: “Vazhdoj ta ndjek në TV kur kam mundësi, por bëj edhe gjëra të tjera, ndaj futbolli nuk më mungon. Të shohim se si do të ndihem pas disa muajsh. Gjithnjë kisha thënë se do ta lija futbollin në momentin që s’do të argëtohesha më. Nuk doja të shkoja askund tjetër për të luajtur për para. Tërheqja ishte zgjidhja më e mirë. Nuk më pëlqente më të stërvitesha dhe nuk po luaja më”, ka shtuar Hazard.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Triumfi në garën e Meksikës ditën e diele ishte i…