Hazard: Tani po shijoj jetën, por futbolli më mungon
Eden Hazard u largua pa shumë bujë nga futbolli teksa vari këpucët në gozhdë pasi dështoi në aventurën e tij te Real Madridi. Belgu nuk ia doli në La Liga prej problemeve të shumta fizike që u bënë faktor në karrierën e tij.
Megjithatë, ish-sulmuesi shprehet se po e shijon jetën pas futbollit edhe pse i duhet të kontrollojë ushqimet për të mos shtuar shumë në peshë.
“Do të doja që të luaja më shumë, por dëmtimet fizike e bënë të pamundur këtë dëshirë. Më mungon pak futbolli, e pranoj, sidomos dhomat e zhveshjes, por tani mund të bëj atë që dua. Unë kam fëmijë dhe një familje. Mund të kthehem në Belgjikë te të afërmit e mi dhe të bëj shumë gjëra të tjera. Tani është koha për të shijuar jetën duke pirë disa birra. Por, unë nuk dua të shndërrohem në një ‘derrkuc’! Unë vazhdoj të jem aktiv duke luajtur tenis, vrap dhe duke luajtur futboll me miqtë e mi. Reali? Ishte ëndrra ime dhe e them edhe pse kjo aventurë nuk shkoi ashtu siç do të kisha dashur. Kur shikoj prapa dhe shoh fotot e vetes veshur me fanellën e ‘Los Blancos’, jam ende krenar”, u shpreh Hazard.