Hazardi: Jam i lumtur te Chelsea, por më pëlqen Spanja
Eden Hazard po kalon një moment të shkëlqyer. Me ardhjen e Maurizo Sarrit në bankinë, belgu po shënon me lehtësi dhe është kthyer në liderin e skuadrës. Dy gola përballë Liverpoolit në pak ditë dhe gjashtë në total në Premierë Ligë, duke kryesuar tabelën e golashënuesve.
Megjithatë, Hazardi ka trembur Sarrin dhe tifozët londinezë me prononcimin e dhënë për “BT Sport”. Ai ka treguar se është i lumtur në Angli, por ëndrra e tij është të luajë në Spanjë.
“Do t’ju tregoj të vërtetën, doja të largohesha pas Botërorit, sepse ëndrra ime është të luaj në Spanjë. Më pas bisedova me drejtuesit e Chelseat dhe trajnerin dhe u thashë: ‘Unë mund të qëndroj, nuk ka asnjë problem’. Më pëlqen të punoj me Sarrin dhe jam i lumtur që qëndrova. Kam edhe tre vjet kontratë me Chelsean”, ka thënë Hazardi, duke shtuar: “Ekziston mundësia të qëndroj përgjithmonë këtu, por ekziston dhe mundësia të largohem në të ardhmen. E adhuroj klubin, tifozët, qytetin dhe shokët e skuadrës, kështu që është e lehtë për mua të qëndroj këtu. Chelsea është pjesë e jetës time, kështu që të shohim se çfarë do të ndodhë”.