Haziri: Banimi social, prioritet i imi
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur të martën takimin e dytë me qytetarë, në të cilin ka thënë se objektivë e qeverisjes vazhdon të mbetet realizimi i projekteve infrastrukturore në qytet dhe fshatra, që përfshin ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve, kanalizimeve, ndriçimin publik dhe trotuaret.
Duke i paraqitur sukseset dhe sfidat e qeverisjes së tij gjatë kësaj periudhe dhjetëmujore, Haziri ka nënvizuar faktin se kjo periudhë është përcjellë me suksese sa i përket investimeve dhe realizimit të projekteve, por edhe me sfida, ndër të cilat, më kryesorja ka qenë dhe vazhdon të jetë kriza e ujit të pijes. “Gjilani është përballur me sfidën e madhe të ujit të pijshëm që nga qershori e tutje, si pasojë e mungesës së reshjeve jo vetëm këtë verë, por edhe në dy-tri vitet e fundit”, ka thënë Haziri.
Ai ka folur edhe për masat që janë ndërmarrë për të përballuar krizën, e ka cila ka imponuar nevojën për shpalljen e gjendjes emergjente, ndërkohë që është organizuar edhe konferenca e madhe mbi sfidat dhe alternativat e furnizimit të qëndrueshëm me ujë, me pjesëmarrje të të gjithë resorëve nga niveli qendror.
Ishte vlerësim në konferencë se nevojiten 460 mijë euro për përballimin e krizës, por shpërbërja e Kuvendit të Republikës dhe rënia e qeverisë i bllokoi projektet për daljen nga kjo gjendje emergjente dhe Komuna, në bashkëpunim me kompaninë ‘Hidromorava’ u detyrua të ndajë 200 mijë euro për hapjen e puseve të reja te lokacioni i FSK-së dhe lagja Fidanishte, të cilat pritet ta zbusim sado pak gjendjen.
Duke folur për angazhimet tjera, kryetari Haziri ka thënë se prioritet gjatë kësaj periudhe i është dhënë banimit social, ku së bashku me donatorët janë ndërtuar 25 shtëpi për familjet pa kulm mbi kokë, ndërkohë që edhe pesë shtëpi të tjera janë në proces të ndërtimit, ose gjithsej deri tani janë ndërtuar 113 shtëpi për familjet në nevojë.
“Po ashtu, një numri tjetër të familjeve me gjendje të rëndë sociale iu paguhet qiraja e banimit. Në Gjilan, në përfundim e sipër është edhe fshati social, donacion nga Kuvajti, në vlerë 2.5 milionë dollarë, ku përfshihen 12 objekte për pleq, për nëna pa përkujdesje dhe fëmijë jetimë. Aktualisht në Gjilan jetojnë 22 pleq të pambrojtur, por në të ardhmen ku numër pritet të rritet shkaku i migracionit”, ka thënë Haziri.
/Epoka e re/