Haziri bën thirrje që të ndihmohen qytetarët në nevojë
Në Komunën e Gjilanit të dielën ka filluar aktiviti i madh humanitar “Dhuro…bëje të lumtur dikë”, me qëllim që t’u dalët në ndihmë sado pak qytetarëve në nevojë.
Kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për t’iu bashkangjitur këtij aktiviteti tek sheshi “Agim Ramadani”.
“Deri tani, qytetarët, Këshilli i Bashkësisë Islame dhe kompania ‘Durrësi’ kanë dhuruar më shumë se dy ton veshmbathje për mosha të ndryshme, të cilët i falënderoj shumë. Apeloj që mbështetja për njerëzit në nevojë të vazhdoj”, ka thënë Haziri.
Ai ka shtuar se me këtë aktivitet Gjilani po del të jetë qendra më e madhe administrative më sociale në Ballkanin Perëndimor.
“Përveç kësaj, i kemi ndërtuar 65 shtëpi për familjet me gjendje të rëndë sociale, i kemi renovuar 40 shtëpi dhe për 40 familje të tjera po paguajmë qira. Nuk duhet harruar edhe mbrëmjen humanitare për mbështetje ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, prej së cilës kanë përfituar organizatat që i trajtojnë këto raste. Jam krenar me solidaritetin e njerëzve të vullnetit të mirë”, ka thënë Haziri.