Haziri: Covid-19 parandalohet vetëm me disiplinë strikte dhe me masa mbrojtëse
Në takimin e kryesuar nga kryetari Lutfi Haziri, i mbajtur sot me emergjencat civile, është konfirmuar një gjendje e qetë dhe pa raste të reja të infektimit me Covid-19, derisa është konfirmuar gjendje stabile e pacientëve dhe njëkohësisht raste të shëruara të pacienteve nga kjo komunë.
Me këtë rast, Haziri ka thënë se Covid-19 parandalohet vetëm me disiplinë strikte dhe me masa mbrojtëse.
“Me ekipin e gjerë të profesionistëve të fushave të ndryshme sot kemi konfirmimin që është një gjendje e qetë në këto ditët e fundit. Mostrat e marra deri tani në kontaktet e të infektuarve të fundit, kanë mbyllur qarkun e mundshëm të infeksionit. Presim që gjendja të jetë vazhdimisht në përmirësim dhe deri tani kemi 49 raste të shëruara plotësisht, 32 raste janë në vetizolim nën mbikëqyrjen e rregullt të emergjencave civile dhe ekipeve mjekësore, por fatkeqësisht kemi dy raste të vdekjes në këtë përballje prej 69 ditëshe”, ka thënë Haziri.
Më tutje, Haziri ka konfirmuar masat lehtësuese në fazën e dytë që domimant është sektori i gastronomisë, që mund të funksionoj këto ditë vetëm përmes shërbimit mere me vete (Take away).
“Në këtë fazë, është një numër i madh i restoranteve ka filluar punën me shërbimin ‘take away’, por një pjesë e tyre kanë nisur keqpërdorimin e kësaj mase lehtësuese. Nuk lejohet qëndrimi në lokale, në oborr, sheshe para lokaleve dhe ulja në restorante. Inspekcioni komunal do të bëj njoftimin e të gjithë operuesve, sikur që edhe do të shqiptoj masat ligjore në këtë fazë të parandalimit të pandemisë”, ka ka thënë Haziri.
Është bërë me dije se sot janë marrë një numër i madh i mostrave, për të cilat është konfirmuar nga Qendra Rajonale e Shëndetit Publik, ku për rezultatet e të cilave qytetarët e Gjilanit do të njoftohen me kohë. (L.G/ Epoka e re)