Haziri: Deklarata e Bislimit për blerje votash nga Lista Serbe, spekulim
Ditë më parë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka deklaruar se shkuarja në balotazh në Komunën e Gjilanit në mes të Lutfi Hazirit nga LDK-ja dhe Alban Hyseni nga LV-ja, ishte si shkak i sondazheve të porositura nga Haziri si dhe nga votat e serbëve në Gjilan.
Madje, ai ka theksuar se Haziri i ka blerë vota nga serbët në Gjilan.
“Në Gjilan gara është dashur të përfundohet më 17 tetor, sikur të mos kishin qenë dy elemente. Kryetari aktual i Gjilanit e ka ditur shumë mirë se si do të përfundojë rezultati më 17 tetor dhe ka shkuar deri në instrumente që askush nga qytetarët e Gjilanit nuk ka besuar se do të shkonte ai. I dini këto vota që i ka blerë nga Lista Serbe. Është edhe më keq nëse nuk i ka blerë ato e i janë dhënë falas. I bie se janë pjesë e kalkulimeve të Beogradit”, ka thënë Bislimi.
Lidhur me këtë është përgjigjur vetë Haziri, i cili ndër të tjerash ka thënë se është spekulim.
“Komunën e Gjilanit është dalë një rezultat befasisht i mirë, rikthim i madh i LDK-së atje dhe natyrisht me balotazh me kandidatin e LV-së. LDK ka pasur partnerë deri në këto zgjedhje kurse tash e tutje do të vlerësojë parimin e koalicioni zgjedhor, nuk ka pasur as koalicion parazgjedhor e duke përfshirë këtu as Listën Serbe apo partitë tjera të komuniteteve. Është spekulim, e kjo më së paku do të duhej të pritej nga një zëvendëskryeministër që është me origjinë nga atje, e të mos e njohë realitetin politik në teren. Në katër vitet e fundit kryetarë i komuniteteve është përfaqësuesi nga komuniteti turk, jo përfaqësuesi i Listës Serbe për shkak të problemeve politike që ishin në teren”, ka thënë Haziri.
Më tutje, ai ka thënë se tendenca që të rikthehet roli i Listës Serbe sikurse që është në Prishtinë, Mitrovicë në Gjilan është tendencë e rrezikshme.
“Tendenca me rikthyer rolin e Listës Serbe sikurse që është në Prishtinë, apo Mitrovicë në Gjilan është vlerësim i rrezikshëm politik pasi është komunitet i integruar në institucione e që nuk nxjerr kamion e traktor me i blloku rrugët rajonale e komunale, por është komunitet që është integruar me cilësi politike që i sheh më shumë punët e veta se ato të përgjithshme politike”, ka thënë ai.