Haziri del me një sqarim për takimin e përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Zvicër
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka dhënë komentin e tij rreth takimeve në Zvicër në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, në të cilat është raportuar se pjesëmarrës nga Kosova ka qenë edhe ai.
Mediumi “NZZ am Sonntag”, ka raportuar gjatë fundjavës për takime “sekrete” që janë mbajtur në Zvicër mes Kosovës dhe Serbisë. Disa raportime të tjera kanë bërë me dije se bëhet fjalë për takime në mes të përfaqësuesve të partive parlamentare kosovare dhe serbe.
Haziri, si Ardian Gjini i AAK-së dhe Mimoza Kusari e Vetëvendosjes, kanë thënë se ato për çfarë ka raportuar “NZZ” janë takime që mbahen prej vitit 2015.
“Përkundër që ‘NZZ’, si gazetë me prestigj të lartë, ka bërë një shkrim dhe Departamenti i Jashtëm i Zvicrës ka bërë sqarimet adekuate, tashmë dihet se prej vitit 2015, ky departament mbështet përmes CIG-ut një takim të përfaqësuesve politikë të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut. Ky departament punon në rregullat e ‘Chatham House’ dhe palët takohen sipas një orari për të diskutuar çështjet e hapura në mes të Serbisë dhe Kosovës, në linjat e dialogut të Brukselit, por që është më shumë takim rekomandues, sikur takimi i fundit i mbajtur në Zvicër që ka dalë me një nonpaper dhe ka rekomanduar mënyrën si të dilet nga kjo gjendje e bojkotit të institucioneve tona nga ana e serbëve të Kosovës dhe rolin e Serbisë në këtë bojkot”.
“Formate të tilla të takimeve kanë organizuar dhe mbështetur edhe vendet tjera. LDK-ja merr pjesë në çdo tavolinë që ftohet për të diskutuar çështje të tilla por negocimi i vetëm mbahet në Bruksel nga ana e kryeministrit, respektivisht Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.