Haziri: Demarkacioni votohet të martën

16 mars 2018 | 16:19

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh kryetar i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shprehur optimizëm se të martën Kuvendi i Kosovws do të ratifikojë marrëveshjen për shënimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

“Ligji me malazezët është vendimi ma i lehtë që Kosova do ta ketë të martën. Demarkacioni do të votohet! Nëse ky ligj për tri vjet e gjysmë nuk ka arritur të miratohet, imagjinojeni sa të rëndë e kanë vendimin e dytë – miratimin e statutit të komunave me shumicë serbe, që duhet ta miratojë Qeveria, jo Kuvendi”, ka thënë Haziri gjatë një debati me studentët dhe stafin akademik të Kolegjit AAB.

Gjatë këtij debati Haziri ka folur edhe për qeverisjen në Komunën e Gjilanit, miratimin e ligjeve që do t’i ndihmojnë kësaj komune në zhvillimin ekonomik dhe në fushën arsimit, si dhe për çështje të tjera me të cilat preokupohen qytetarët e Gjilanit.

Duke folur për sektorin e arsimit, ai ka falënderuar Kolegjin AAB për bashkëpunimin dhe ndihmën që i ka ofruar studentëve nga Komuna e Gjilanit.

“Falënderoj shumë AAB-në që ka mbështetur studentët e Gjilanit, nga të cilët 16 me bursë njëvjeçare dhe pesë të tjerë me bursë të plotë studiojnë këtu”, është shprehur Haziri.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Basri Sejdiu është zgjedhur drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar…