Haziri dhe drejtori i KEDS-it konfirmojnë bashkëpunim në efiçiencë të energjisë
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, me bashkëpunëtorë ka pritur në një takim pune drejtorin e KEDS-it në Kosovë, Alper Erbas, ku kanë konfirmuar bashkëpunimin e plotë në projekte të përbashkëta në kuadër të efiçiencës së energjisë.
Haziri ka thënë se ky takim është në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit për furnizim të rregullt me energji dhe njëkohësisht edhe realizimin e projekteve të përbashkëta në efiçiencë të energjisë.
“Komuna e Gjilanit edhe më parë ka kërkuar bashkëpunim me KEDS-in dhe ai është konfirmuar sot me një vendosmëri të plotë që të gjitha projektet që pikëprekin institucionet mes vete dhe interesat e përbashkëta për qytetarin dhe afarizmin, të bëhen në koordinim të plotë. Drejtori, gjithashtu, ka konfirmuar edhe investime të tjera në vazhdimësi sikur edhe deri më tani dhe kjo do të bëhet në bazë të prioriteteve”, ka thënë Haziri.
Kurse, drejtori i KEDS-it, Alper Erbas, pasi e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen miqësore, ka thënë se kompania do të jetë e orientuar përpos furnizimit të rregullt me energji elektrike edhe me projektet në digjitalizim, efiçiencë, investimin e përbashkët të projekteve komunitare dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me kushtet më të mira.
/Epoka e re/