Haziri: Ditët e bardha të lirisë kulmojnë më 25 qershor kur do të kthehet në bronz Abdullah Tahiri

15 qershor 2020 | 16:11

Nën përkujdesjen e kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë nisur të hënën aktivitetet e shumta në shënim e 15 qershorit, Ditës së Çlirimit të Gjilanit, me një pjesëmarrje të të gjitha institucioneve në nivel lokal e regjional, për të bërë kështu nderimin e përbashkët për dëshmorët, heronjtë, martirët dhe të gjithë të rënët në luftën për liri, në varrezat e dëshmorëve.

Haziri ka thënë se janë ditë të bardha të qytetit të Gjilanit dhe të Kosovës falë sakrificës së dëshmorëve dhe të rënëve në luftën për liri, vetëm duke respektuar të kaluarën, mund të ndërtojmë të ardhmen bashkërisht.

“Në këtë kohë pandemie, uroj këto ditë të bardha për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Për shkak të pandemisë, festa do të shënohet me aktivitete ceremoniale dhe programe kulturore online, që përfshinë respektin dhe nderimet për heronjtë e kombit. Sot në këtë ditë do të bëhet parakalimi në shenjë falënderimi për mjekët dhe institucionet komunale e regjionale të cilët kanë luftuar përhapjen e Covid-19, si institucione që nuk ndalen në asnjë moment për të ndihmuar dhe lehtësuar jetën e qytetarëve. Ndërkaq, më 25 qershor përfundojnë aktivitetet, kur edhe do ta sjellim lapidarin e Avdullah Tahirit, Hero i Kombit, që ky vit i përkushtohet atij, veprës dhe kontributit në rreshtin e gjatë të heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës të rënë për liri”, ka thënë Haziri.

Ai ka apeluar që të festohet, por me kujdes sepse parandalimi i sëmundjes, është prioriteti kryesor  i qeverisjes në Gjilan. Ndërsa kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Shpresa Kurteshi-Emini, ka uruar të gjithë qytetarët e kësaj komune për ditën e çlirimit. “Kjo ditë është histori e lirisë dhe nuk do të harrohen asnjëherë ato momente. Është një ditë e bardhë e kujtimit për të gjithë ata që dhanë gjithçka nga vetja e tyre, edhe jetën, që ne sot të jetojmë të lirë e të zhvillohemi. Kemi obligim të gjithë së bashku që të punojmë për ruajtje të paqes dhe të kontribuojmë për një Kosovë siç e deshën ata”, ka thënë Kursteshi-Emini.

Në anën tjetër, Ahmet Isufi, ish-komandant i Zonës Operative të Karadakut, ka kërkuar të mos harrohet asnjëherë gjakun i dergjur për liri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pranuar urime nga kryeministri…