Haziri: Do të shkoj më 15 mars në takim me Kurtin e Osmanin
Kandidati për kryetar të LDK-së, Lutfi Haziri tha se partia e tij nuk e ka kulturë të refuzojë takimet që kanë të bëjnë me institucionet e shtetit, anipse kandidati tjetër, Lumir Abdixhiku tha se ‘nuk do të shkojnë turrë e vrapë’.
Kjo për shkak se këta të fundit i dërguan letër LDK-së dhe partive të tjera që me datën 15 mars të takohen për të diskutuar lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Haziri thotë se nëse ai zgjidhet kryetar i partisë, dhe kuvendi i LDK-së ia jep atij mandatin të negociojë, ai do të shkojë në takim dhe do të negociojë për interesat e partisë.
“Lideri i LDK-së i cili zgjedhet duhet për të pyetur kuvendin e vet lidhur me veprimet politike, se a do LDK për t’ia dhënë rolin e opozitës së fortë, se çfarë roli do të ketë si opozitë sa i përket ligjeve, dhe me atë mandat të shkoj në çdo takim. Unë nuk frikësohem sepse përfaqësoj interesin e LDK-së. LDK-ja nuk e ka kulturën e refuzimit. Rivalët politikë janë rivalë politikë, dallojmë si nata me ditën, por me atë që quhet institucion, që quhet stabilitet, unë besoj që roli i LDK-së ka për të qenë me konstruktivitet”, tha Haziri.
Haziri thotë se refuzimi i institucioneve të shtetit nuk është kulturë e LDK-së.
“Nëse LDK-ja më jep mandat për të negociuar, unë shkoj dhe negociojë interesat e LDK-së”, tha Haziri në Kanal 10.
Ndërsa sa i përket çështjes së presidentit, se a do të qëndrojnë në sallë, Haziri tha se gjithçka varet nga takimi i së hënës.
“Do të varet nga takimi i të hënës”, tha Haziri.