Haziri, Dritës: Mbeteni krenaria e qytetit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot futbollistët e klubit të futbollit Drita, në krye me drejtorin Feti Murseli, pas shpalljes kampion në Superligën e Kosovës.
Kryetari Haziri ka uruar ata për këtë sukses të jashtëzakonshëm, i cili tashmë i dërgon në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve. “Jam krenar që për herë të dytë si kryetar Komune po e përjetoj titullin e kampionit të FC Drita. Keni qenë dhe mbeteni krenaria e qytetit. Na keni bërë nder si Gjilan e Anamoravë dhe besoj që me këtë kupë në garat evropiane do t’i nderoni të gjithë shqiptarët. Kjo shtëpi është e juaja dhe ka qenë edhe në ditët më të rënda për klubin. Uroj futbollistët, kryetrajnerin Bekim Isufi, pronarët Flamur Bunjaku e Valon Murseli, drejtorin e klubit Feti Murseli dhe ‘Intelektualët’. Me padurim po e pres shortin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve”, ka thënë Haziri.
Drejtori i FC Drita, Feti Murseli, ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e madhe ndaj klubit për të arritur këtë sukses, ndërkaq ka shfaqur besimin që e sukseseve edhe në garat evropiane. Fjalë falënderimi për kreun e Gjilanit pati edhe kryetrajneri, Bekim Isufi.
“I shprehim falënderim kryetarit Haziri, i cili ka qenë gjithmonë afër klubit. Ka qenë privilegj dhe kënaqësi ta sjellim kupën pas sa viteve në Gjilan. Merita më e madhe e kësaj arritje janë këta djelmosha, të cilët kanë dhënë maksimumin për të arritur këtu ku jemi dhe na kanë bërë krenarë të gjithëve”, ka deklaruar Isufi.