Haziri e Dumoshi: S’Duhani, thirrje për të gjithë që ta ruajmë shëndetin
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, në shtëpinë e rinisë në Gjilan, të mërkurën kanë promovuar projektin “S’Duhani” të qendrës studentore “Kadri Zeka”, që i dedikohet të rinjve në formën e vetëdijesimit kundër përdorimit të duhanit dhe ruajtjes së shëndetit.
Haziri ka falënderuar ministren Dumoshi për mbështetjen dhe vëmendjen që ka ndaj kulturës, sportit dhe veçanërisht rinisë së Gjilanit dhe Kosovës, e cila është e dëshmuar në gjallërinë dhe kontributin e madh që e jep në shoqëri.
“Sot jemi mysafir të qendrës studentore ‘Kadri Zeka’, e cila në një konkurrencë shumë të madhe ka arritur që të jetë përfituese me projektin S’Duhani. Mos e pini duhanin sepse ka efekte të rrezikshme, pastaj pasoja të pashërueshme dhe njëkohësisht një imazh jo të mirë në shoqëri. Nga Gjilani kemi edhe katër fitues të tjerë në MKRS të programeve të OJQ-ve dhe në kuadër të kësaj Komuna e Gjilanit ka bashkangjitur edhe fondin e vet prej 100 mijë euro, me qëllim të mbështetjes së projekteve që u dedikohen rinisë përmes OJQ-ve dhe qytetarëve në përgjithësi”, ka thënë Haziri.
Ndërsa, në fjalën e saj, Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka theksuar se MKRS-ja është e përkushtuar që me mbështetje përmes granteve, subvencioneve dhe projekteve të ndryshme të arrij zhvillimin e qëndrueshëm të të rinjve në ndërmarrësi, në shoqëri, në arsimim dhe në të gjitha fushat e tjera.
Projekti SD’Duhani, që është elaboruar nga Elitë Bardhi, parasheh vetëdijesimin e hershëm të rinisë, duke ofruar këshillat që nga moshat e reja të nxënësve e deri të studentët.
Projekti është në tri pjesë të veprimit, përmes këshillave juridike, pedagogjike dhe psikologjike.
Të gjithë të interesuarit pas këtij aktiviteti mund aplikojnë në uebfaqen e qendrës studentore “Kadri Zeka” dhe përzgjedhja bëhet në bazë të kritereve të parapara, për të vazhduar më pas me punëtoritë, në bazë të planit të punës.
(Q.R / Epoka e re)