Haziri: Edhe në kohë pandemie fëmijët kanë humbur shumë pak në mësimnxënie
Në shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Thimi Mitko”, në Gjilan është mbajtur konferenca me temën “Menaxhimi i procesit mësimor gjatë periudhës së pandemisë Covid-19”.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka theksuar se janë dy ngjarje shumë të vështira në të cilat Komuna e Gjilanit është prekur direkt në procesin mësimor dhe në jetën në përgjithësi pas luftës, bëhet fjalë për tërmetin i cili ka shkaktuar ndërprerje të mësimit në vitin 2002 dhe pandemia, e cila njëkohësisht ka shkaktuar shkëputje të nxënësve nga shkolla.
“Në vitin 2002 ishte një fatkeqësi natyrore, ajo tërmetit të fuqishëm, që dëmet më të mëdha atëherë kishte pësuar Gjilani dhe procesi mësimor karshi shumë vështirësive edhe atëherë ishte ndërprerë për një kohë, duke kërkuar alternativë të organizimit. Gjithashtu, në vitin 2020 pandemia Covid-19 ka ndikuar edhe më shumë në procesin mësimor, duke bërë që fëmijët dhe mësimdhënësit të organizohen në forma të tjera dhe rrugë sekondare, përmes platformave online, për të bërë të mundur realizimin e procesit mësimor. Fal punës shumë të madhe të Drejtorisë Komunale të Arsimit, drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, procesi mësimor ka vazhduar në distancë dhe organizimi i tij është bërë në një kohë rekorde, duke bërë që fëmijët shumë pak të humbin në mësimnxënie. Gjilani edhe në këtë aspekt ka dëshmuar riorganizim dhe gatishmëri të komunikimit me nxënësit që të njëjtit të mos kenë humbje në mësimnxënie”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.
Drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka falënderuar të gjithë drejtorët dhe mësimdhënësit duke potencuar se në fillim të organizimit të mësimit online në Gjilan nuk kishte asnjëherë dilema, nëse mund t’ia dalin sepse siç ka theksuar ai, të gatshëm ishin të gjithë faktorët kryesor të organizimit në trekëndëshin e suksesit mësimdhënës-nxënës-prindër.
Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, njëherësh njohës i zhvillimeve në arsim,në Kosovë, ka thënë se mësimi online ka tejkaluar pritjet, për shkak se shumë shpejt është kuptuar se ajo është forma e vetme e realizimit të mësimdhënies dhe nxënies në fillim të pandemisë.