Haziri: Është në modë të shahet Hashim Thaçi
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” në lidhje me konfliktin verbal me bashkëpartiaken e tij, Vjosa Osmanin.
Ai ka thënë se deklarimet e tij ndaj Osmanit kanë të bëjnë krejtësisht me angazhimet politike të cilat i përcakton edhe rregullorja e Lidhjes Demokratike, por asgjë s’ka të bëjë me ndonjë përçarje mes vete.
“Respektoj angazhimin politik të Vjosës dhe gjithë deputetëve të tjerë. Nuk ka të bëjë asgjë në lidhje me të, është thjesht angazhim politik. Është deklaratë krejt ndryshe prej të tjerave. Ky është komunikim i yni i hapur. Proceset politike në kuadër të saj i rregullon edhe statusi i LDK-së”, ka deklaruar ai.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka komentuar edhe çështjen e kritikave dhe akuzave që po bëhen në drejtim të Presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka theksuar se është bërë trend në skenën politike që të ketë fyerje në drejtim të Presidentit.
“Sot në Prishtinë atmosfera politike është e përçarë – jo për shkak të Preshevës, por për shkak të Hashim Thaçit. Ata nuk po duan që Presidenti Thaçi ta udhëheq dialogun, por kjo mund të sjellë viktimë vullnetin e 100 mijë shqiptarëve. E përkrahim vendimin e shumicës për çështjen e Luginës. Mua më pëlqen vendimi, por duhet të mësohemi të mbështesim këtë rrugëtim. Nëse është vetëm mjegull politike, vërtet është e pandershme që gjithë këtë proces ta bëjmë kaq të madh, sepse bëhet fjalë për ëndrrat e shqiptarëve të cilët kanë luftuar. Por, në ditët e sotme në skenën politike është bërë popullore ‘me e sha’ Thaçin”, ka shtuar ai.