Haziri: Është vepër penale kushdo që tenton të hyjë e dalë nga zonat e karantinës
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka apeluar qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa ka njoftuar për ndëshkimet e ashpra për të gjithë ata që i shkelin rregullat e karantinës.
“Dënimet mandatore për përhapjen dhe mosrespektimin e sëmundjeve ngjitëse si masë parandaluese janë prej 600 deri 2 mijë euro për persona fizikë, ndërsa deri në 8 mijë euro për personat juridikë. fizik. Plus asaj, iniciohet procedurë penale nga ana e prokurorisë së shtetit. Dënimi me burg është deri në dy vjet për të gjithë personat që e përhapin virusin dhe nuk i zbatojnë masat”, ka thënë Haziri në një konferencë për medie.
Ai ka bërë me dije se nga dje, policia e shtetit është duke kontrolluar hyrje-daljet në mënyrë rigoroze.
“Nuk ka hyrje e as dalje nga vendet e karantinës. Është vepër penale çdokush që pretendon të hyjë dhe të dalë nga zona e karantinës, sidomos nga Ferizaj, Vitia, Prishtina, Vrapҫiqi dhe Topanica”, ka shtuar Haziri.