Haziri: Gjilani po kalon ditë të zeza, solidarizohemi me familjen Haliti që humbi tre anëtarë

10 maj 2021 | 15:31

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se gjilanasit janë duke kaluar ditë të zeza pas tragjedisë së familjes Haliti, e cila ka humbur tre anëtarë në Shqipëri,  të cilët dyshohet se janë helmuar. Këto komente Haziri i ka bërë në konferencën për medie, duke shtuar se më 7 maj ishte njoftuar për gjendjen e rënduar të kësaj familje.

“Unë jam njoftuar për gjendjen e rënduar të kësaj familjeje më 7 maj. Menjëherë kemi shprehur interesimin dhe komunikimin drejtpërdrejt edhe përmes ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, ka qenë gjithçka e vonshme dhe këta tre anëtarë të familjes Haliti u shuan. Gjilani po kalon ditë të zeza, duke u solidarizuar me familjen Haliti për këtë humbje të madhe e cila, po ashtu, duhet ta përballojë këtë gjendje pasi tre djem dhe një vajzë të moshës madhore janë trashëgimi e kësaj familje”, ka  thënë Haziri, duke shtuar se janë duke pritur rezultatin zyrtar` të hetimeve të institucioneve të shtetit shqiptar, në mënyrë që edhe familja dhe komuniteti të jenë më të qetë.

“Me 8 maj zyrtarisht jam njoftuar nga institucionet e Shqipërisë për ndërmarrjen e veprimeve urgjente të organeve të shtetit, që përfshinë krimet e rënda, për fillimin e hetimeve dhe ndërmarrjet e para hetimore. Presim rezultatin zyrtar, në mënyrë që edhe familja dhe komuniteti të jenë më të qetë”, është shprehur Haziri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ronald Koeman ka konfirmuar se do të vijojë të qëndrojë…