Haziri: Gjysma e qeverisë aktuale thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër thotë ka
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se gjysma e qeverisë aktuale thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër thotë ka.
“Në takimin e 2 majit do të diskutohet draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që Kurti e ka quajtur Zajednicë. Madje për Asociacionin, kryeministrit Kurti do t’i paraqitet draft-statuti i këtij mekanizmi pa e takuar grupin punues të Kosovës, pa e ditur përbërjen sipas tyre të këtij grupi punues dhe pa e ditur se çka kanë punuar, dhe në çfarë niveli ka mbërri niveli i këtij draft-statuti”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.
Haziri ka theksuar se me marrëveshjen e Ohrit, Kurti u mundua ta kamuflojë si ndryshim i marrëveshjes 2013-2015.
“Gjysma e Qeverisë aktuale thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër thotë ka. Me ndërmjetësin ndërkombëtar ka bërë marrëveshje, para deputetëve zbulon ‘tradhtarët’ e para popullit nuk ka bërë asgjë!”, ka shkruar Haziri.