Haziri: Heqja e taksës është bërë pa koordinim me Amerikën
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar vendimin e qeverisë në dorëheqje, që taksa 100 për qind për Serbinë të zëvendësohet me masën e reciprocitetit.
Haziri ka thënë se vendimi i taksës 100 për qind ka qenë veprim politik me pasoja.
“Sa e di unë edhe herën e parë kur është bërë largimi i taksës për lëndën e parë ministrat e LDK-së nuk kanë qenë aty. Edhe kësaj here, sido që është votuar, në parim është bërë veprim politik, por me pasoja. Pasoja e parë po e merr qeverinë e dytë me vete. Edhe dorëheqja e Haradinajt ka qenë për shkak të presionit të tarifës dhe mosarritje, me u koordinu me partnerë, por edhe Qeveria Kurti shkoi si pasojë e moskoordinimit me partnerë strategjikë lidhur me tarifën”, ka pohuar Haziri në RTV Dukagjini.
Haziri ka shtuar më tej se largimi i taksës është bërë pa koordinim me qeverinë amerikane. “Largimi i sotshëm është pa kurrfarë koordinimi, pa kurrfarë angazhimi, sidomos me qeverinë amerikane. Është me pasoja prapë. Nuk shoh diçka që i jep oksigjen politik kësaj situate të rënduar politike”, tha ai. Në fund, Haziri theksoi se në të ardhmen reciprociteti më shumë do të përdoret si slogan sesa si masë.