Haziri: Humbëm rastin ideal, nuk u pranua raporti hetimor i Kosovës për sulmin në Banjskë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se raporti hetimor i Kosovës për sulmin terrorist në Banjksë të Zveçanit, nuk është marrë seriozisht nga Bashkimi Evropian.
Haziri, në “Debat Plus”, tha se pjesa që është punuar nga ekspertët ligjorë të Policisë ka qenë profesionale, por pjesa tjetër kur janë futur pjesë politike, ka bërë që raporti të mos pranohet.
“Me vetë faktin që raporti jonë është në tavolinë, por nuk është marrë seriozisht kur është parë se çfarë përbën. Nëse e merr e lexon pjesën Policisë, ekspertiza është profesionale. Kur i kanë futur raportet politike…”, tha ai.
Ai tha se ka qenë mundësi e artë e Kosovës nëse do t’i lejonin njerëzit që e kanë kryer operacionin në Banjskë, t’i kryenin edhe hetimet dhe ta përpilonin një raport, i cili sipas tij, do të pranohej nga ndërkombëtarët.
“Kemi pasur rast të artë për t’ia lënë njerëzve që e kanë bërë aksionin, për t’i kryer hetimet, ta mbyllin raportin me hetime, ishte pranuar si është pranuar aksioni i suksesshëm. Shumë pak të tjerë kanë pasur nevojë të punojnë raportin e hetimeve. Kjo ka qenë mundësi me kapitalizu shumë mirë politikisht, na ka përmirësuar imazhin në negociata, kemi qenë për toke. Prapë deliri na kapi u ekzaltuam, harruam që prej të dielës mundemi me 25 me thënë me kapitalizu, me bë ofertë, kjo është e imja, merre ose lërë, sepse Serbia është kjo”, ka thënë ai.
Haziri tha se një raport tjetër hetimor është punuar nga ndërkombëtarët, sipas tij, më shumë për nevoja të veta se të Kosovës. “Raportin e kanë punuar shtetet të mëdha që sigurinë e kanë edhe për nevoja të veta. Komisioni teknik ka qenë këtu për disa ditë, dy nivele teknike dhe për hetime. Prej incizimeve në terren, kufiri, pozita gjeografike, kisha apo manastiri, policia jonë, mënyrë si është dhënë komanda. NATO nuk mund t’i ikë hetimit”, tha ai.