Haziri ia dorëzon Edi Shukriut çmimin letrar “Beqir Musliu”
Në Grykën e Karadakut, në shkollën “Bajram Curri në Shurdhan të Gjilanit, është mbajtur edicioni i nëntë i manifestimit rajonal të poezisë “Trekëndëshi poetik i paqes”, pjesë e të cilit aktivitet ka qenë edhe ceremonia e dorëzimit të çmimit letrar “Beqir Musliu” për fituesen Edi Shukriu. Komuna e Gjilanit në bashkëpunim me Ars Club-in “Beqir Musliu”, ka organizuar këtë ceremoni për t’ia dorëzuar shkrimtares dhe arkeologes Edi Shukriu këtë çmim letrar, të cilin e ndan kryetari i Komunës së Gjilanit për arritje të veçanta në letërsi.
Në fjalën e tij, kryetari i komunës Lutfi Haziri, ka vlerësuar laureaten e çmimit “Beqir Musliu” Edi Shukriun si një fituese meritore e këtij çmimi.
Ai ka vlerësuar kontributin e Beqir Musliut në periudhat më të rënda, por në të cilat është punuar me përkushtim, duke vënë në pah edhe aktivitetet e viteve të ‘90-ta. Madje, i pari i komunës e ka vlerësuar kulturën e asaj kohe si arma më e fuqishme që e kemi përdorur si rezistencë. “Karadaku dhe kjo pjesë e Kosovës i nderon kotributdhënësit, mbi të gjitha, sepse kjo neve na bënë nder, dhe ky çmim na ka nderuar me emrin tënd, shpallur nga juria si laureta dhe ne të falënderojmë për punën e madhe që ke bërë”, i ka thënë Haziri, laureatës Edi Shukriut.
Ndërsa Edi Shukriu ka thënë se ndihet e nderuar shumë, aq më tepër që shpërblimi mban emrin e shkrimtarit të saj të preferuar “Beqir Musliu”.
Ajo ka thënë se Gjilani ka bërë shumë për kulturën, që sipas saj është qendër e kulturës.