Haziri javën e ardhshme prezanton ekipin e ri qeverisës
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për medie të enjten ka paralajmëruar se javën e ardhshme do ta prezantojë ekipin e ri qeverisës.
“Me ndryshimin e Statutit të Komunës si dokument që e organizon jetën institucionale, është krijuar mundësia që të finalizohen marrëveshjet politike me partitë, organizatat joqeveritare dhe grupet e interesit. Gjatë vikendit do të përfundojnë takimet me partitë dhe të martën do t’i prezantojë emërimet e reja. Do të ketë emra edhe nga shoqëria civile”, ka thënë Haziri.
Ai ka rikonfirmuar se është përgjithpërfshirje politike por me kusht që propozimet të jenë konform respektimit të barabartë sa i përket përfaqësimit gjinor.
Haziri ka bërë me dije se në disa resorë të Komunës Gjilanit ka pasur boshllëk pas suspendimit të 29 shërbyesve civilë si pasojë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale. “Besojmë se këtë boshllëk do ta plotësojmë përmes konkurseve të brendshme”, është shprehur Haziri.
Ai ka paralajmëruar investime në infrastrukturë në vlerë prej 36 milionë euro.