Haziri ka qëndruar sot në Kumanovë për funksionalizimin e marrëveshjes ndërkufitare për tregti
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar edhe nga kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, kanë qëndruar sot në Komunën e Kumanovës për të finalizuar marrëveshjen e bashkëpunimit për mbështetjen e sektorit të bujqësisë dhe ngritjes së kapaciteteve prodhuese, duke organizuar tregje të vogla dhe lëvizëse për shitjen e sigurt të produkteve të freskëta nga zonat ndërkufitare.
Kryetari Lutfi Haziri ka thënë se projekti ka për qëllim nxitjen e shitjes por edhe rritje të vlerës së fitimit nga prodhimet vendore që tregut do ti ofrohen gjithnjë të freskëta.
“Kjo është një mbështetje për punën e madhe që bëjnë fermerët gjatë gjithë kohës, në punimin e tokës nga të dyja anët e kufirit, nga Komuna e Gjilanit dhe e Kumanovës”, ka potencuar Haziri
“Modernizimi i tregjeve të shitjes me pakicë dhe promovimi më i madh i produkteve të punuara nga bujku i Gjilanit dhe Kumanovës, ne i kemi tashmë në marrëveshjen e bashkëpunimit, me financimin e Komisionit Evropian në kuadër të programit IPA, në vlerë prej mbi 320 mijë euro dhe me procedura të implementimit që do të filloj në muajin janar. Është e planifikuar të organizohen trajnime për fermerë në fusha të ndryshme e konkretisht për rritjen e shitjes, organizimin e tregjeve të lëvizshme dhe gjatë të ardhmes do të punohet edhe për organizimin e përbashkët të javës së tregut ndërkufitar, ku do të marrin pjesë fermerë të dy komunave”, ka thënë pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Gjilani Lutfi Haziri.
Edhe kryetari Haliti, por edhe kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, e kanë mirëpritur këtë investim që do të bëhet në këtë zonë ndërkufitare përmes programit të bashkëpunimit ndërkufitar.