Haziri kërkon dinamikë më të madhe nga drejtorët për realizimin e projekteve
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, ku ishte prezent edhe përfaqësuesi i programit USAID TEAM, ka diskutuar për përmbylljen më të mirë të mundshme të periudhës së mbetur të tremujorit të fundit të këtij viti në aspektin e punëve, realizimit të projekteve dhe pagesave.
Në fjalën e tij, Haziri, ka kërkuar nga drejtorët e drejtorive komunale që dinamikën e punëve ta ngritin, sikur që ka kërkuar bashkëpunim sipas natyrës së punës edhe të drejtorive mes vete, që shërbimi i nivelit lokal të jetë pranë kërkesave të qytetarëve dhe zgjidhjes së tyre.
Ai njëkohësisht ka kërkuar që për vitin e ardhshëm të punohet së pari në përmbylljen e projekteve të filluara dhe të punohet në bazë të planifikimit të buxhetit edhe me investim të projekteve model të dëshmohet angazhim jo vetëm për investim por edhe për mirëmbajtjen e tyre dhe ruajtjen.
Haziri ka thënë se në sektorin e Shëndetësisë, Kadastrit dhe Bujqësisë tashmë është krijuar një stabilitet i plotë i shërbimeve për qytetarët, kurse nga drejtoritë tjera ka kërkuar që të jenë të harmonizuara mirë me Zyrën e Prokurimit, në mënyrë që të gjitha procedurat që nga inicimi e deri në finalizim të projektit të jenë të planifikuar mirë dhe të harmonizuara me ligjet në fuqi.
Ndërsa për fushën e arsimit që është prioritet i kësaj qeverisje, kryetari Haziri ka ofruar mbështetjen e plotë për të gjitha nismat që pikëprekin interesin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve.
“Bashkëpunimi i Komunës së Gjilanit me donatorët dhe investitorët duhet të jetë në nivelin më të mirë të mundshëm, sikur që përgatitjet për investime duhet të jenë në aspektin profesional dhe në një kohë rekorde që ajo që është e mundur të fillohet këtë vit të bëhet me planifikim të qartë, kurse ajo që mbetet për vitin tjetër sipas tij të jetë e projektuar në bashkëpunim të plotë mes vete”, ka thënë Haziri.
/Epoka e re/